Përurohet parku “Idriz Rreci” në Skenderaj

19:24 | 26 Dhjetor 2019

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashkë me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, sot kanë përuruar përfundimin e punimeve për ndërtimin e parkut “Idriz Rreci”, projekt ky i cili kap vlerën financiare rreth 75 mijë euro.

Me këtë rast, kryetari Jashari është shprehur i lumtur që ky park do të jetë në shërbim të fëmijëve të kësaj komune.

“Ky projekt është vazhdimësi e angazhimit tonë në shtimin e zonave të reja të gjelbra dhe krijimin e hapësirave rekreative për fëmijët”, tha kryetari Jashari.

Ai theksoi se parqe të tilla janë ndërtuar e do të ndërtohen edhe në lagje tjera të qytetit dhe në hapësirat përreth shkollave fillore e të mesme në komunën e Skenderajt.