Gazetarët dhe prezantuesit e Alsat me fushatë sensibilizuese kundër virusit korona

Duke pasur parasysh situatën e krijuar në vend dhe përhapjen e virusit korona, gazetarët dhe prezantuesit e Alsat kanë filluar kampanjë sensibilizuese për të informuar njerëzit se si duhet të veprojnë në një situatë të këtillë. Së fundmi në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur baret, restorantet, dyqanet dhe kazinotë, ndërkaq hapur janë vetëm ushqimoret dhe farmacitë.

“Me qëllim mbrojtjen tuaj dhe të njerëzve rreth jush nga virusi korona tentoni që të mbani higjienën. Lani më shpesh duart, uji dhe sapuni janë mjeti kryesor për të luftuar virusin. Tentoni të mos prekni fytyrën”, porosit Rita Behadini nga emisioni i mëngjesit “Ditë e Re”. Ndërkaq, Ardi Zhuta, nga i njëjti emision bën thirrje që të mos bëhet panik por vetëm kujdes dhe të dëgjohen autoritetet përkatëse.

Dorina Ajdini nga emisioni “Pasdite me Alsat” tanimë e pi kafenë vetëm në zyrë, andaj dhe ju fton që të njëjtën ta bëni edhe ju. “Nëse nuk keni frikë për veten tuaj, bëjeni këtë për njerëzit rreth jush”, porosit Dorina. Rrita Syla nga ana tjetër ngre vetëdijen për përdorimin e maskave për mbrojtje të vetes dhe të të tjerëve. “Dashuri po, por edhe maska”, thotë Rrita.

Virusi qëndron edhe nëpër celularët që ne i kemi çdo ditë me vete, andaj Faton Islami ju porosit që të pastroni sa më shpesh të njëjtët dhe të gjeni mënyra të reja për t’u përshëndetur pa prekje. Madje edhe takimet sugjerohet që kryhen nëpërmjet telefonit dhe pa takime. Nazim Rashidi nga emisioni “200” thotë që nuk është çështje frike, as çështje paniku por është çështje vetëdije.

“Evitoni njerëzit, evitoni kontaktet, rrini më shumë në shtëpi, mundohuni t’i kryeni punët në distancë. Korona nuk duhet të jetë një gjë e frikshme por nuk do të thotë se duhet ta tejkalojmë të gjithë. Kështu që ju bëj thirrje për vetëdije”, porosit Rashidi.

Edhe Arta Tahiri nga “Rruga Drejt” fton njerëzit që të kenë kujdes për shëndetin publik dhe njofton se vetëizolimi është zgjidhja në këtë rast.

“Shëndeti publik nuk është vetëm detyrim i shtetit, mjekëve dhe personelit mjekësor të cilët po bëjnë maksimumin për të gjithë ne, por është detyrim edhe i yti. Respekto pastërtinë, laj duart shpesh dhe mos dil pa nevojë nga shtëpia”, ju thotë Arta.

Covid 19 është sëmundje e parandalueshme, ju njofton Arta Sefadini nga “Pasqyra e Shëndetit”, gjithçka që duhet të bëni është të kujdeseni për higjienën personale.

“Nëse ne ndërgjegjësohemi, sëbashku mund të vijmë te parandalimi i virusit korona. Ju apeloj të kujdeseni në fillim për veten, sepse kujdesi për veten do të thotë edhe kujdes për të tjerët”, apelon Arta Sefadini.

Zejxhane Osmani dhe Besmira Ejupi që ju njoftojnë me lajmet më të fundit në edicionet e lajmeve të televizionit Alsat, ju porosisin që të mos dilni pa nevojë nga shtëpia. “Të ruajmë qetësinë dhe të evitojmë panikun”, ju fton Besmira.

“Në këtë gjendje të jashtëzakonshme të dëgjojmë këshillat nga mjekët dhe të evitojmë daljet në vendet publike. Mund të jesh i rrezikuari por edhe të rrezikosh të tjerët, prandaj të jemi të përgjegjshëm dhe të respektojmë kufizimet pasi janë për të mirën tonë të përbashkët”, bën thirrje Osmani.

Edhe Vig Shpuza nga “Shpuza Show” ju thotë që jeta nuk është film dhe filmi zgjat vetëm dy orë. Situata në të cilën gjendemi mund të bëhet më serioze nëse nuk jemi të kujdesshëm, thotë Shpuza.

“Ndoshta ty nuk të gjen gjë, por ti ke një nënë, gjysh, gjyshe më në moshë të cilëve mund të ua rrezikosh shëndetin por edhe jetën, andaj kujdes”, ju thotë Shpuza.

Loading…