OBSH: Bota po përballet me një “mungesë të konsiderueshme” të mjeteve mjekësore

21:34 | 25 Mars 2020

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) lëshuan paralajmërimin se bota po përballet me një “mungesë të konsiderueshme” të mjeteve mjekësore, përfshirë edhe pajisjet mbrojtëse personale (PPE).

Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, përgjatë konferencës në Gjenevë të mërkurën tha që, si pasojë e mungesës së furnizimeve mjekësore, do të detyrohet të paraqitet në samitin e G20 të enjten, shkruan CNN, transmeton lajmi.net.

“Duhet të jemi të qartë: Bota po përballet me një mungesë të konsiderueshme të PPE-ve për punëtorët të  “vijës së frontit” – përfshirë maska, doreza dhe mbrojtëse të fytyrës – dhe mbrojtja e punonjësve tanë të kujdesit shëndetësor duhet të jetë përparësia kryesore për përdorimin e PPE”, tha Dr. Maria Van Kerkhove, epidemiologe e OBSH-së, gjatë konferencës së së mërkurës.

Të gjitha elementët e zinxhirit të furnizimit duket se janë nën mungesë ekstreme, tha Dr.Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i OBSH-së i programit të emergjencave shëndetësore gjatë konferencës.

“Ka probleme në tërë zinxhirin e furnizimeve mjekësore. Problemi është i thjeshtë – kërkesa e madhe”, tha Ryan.

“Ka mungesa të PPE, mungesa të ventilatorëve dhe produkteve të tjera për përgjigjen mjekësore ndaj COVID-19. Ne gjithashtu duhet të shmangim mungesat në pajisjet e tjera mjekësore, pasi zinxhirët e furnizimit përmirësohen”, ka shtuar tutje ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se në Kosovë janë në dispozicion 142 respiratorë, 95 prej të cilëve gjenden në sektorin publik dhe 47 në sektorin privat. /Lajmi.net/