Federatat dhe klubet kërkojnë ndihmë, Dumoshi lavdëron FBK-në për krijimin e Ligës Unike

15:26 | 23 Shtator 2020

Në Prishtinë ka filluar Java Evropiane e Sportit, që do të zgjasë deri më 30 shtator. Në ditën e parë, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) është organizuar “Forumi për Sportin”.

Në këtë aktivitet kanë marrë Vlora Dumoshi, ministre e MKRS, Armend Zemaj, ministër i Shëndetësitë, Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, si dhe përfaqësues tjerë nga federatat sportive, por edhe të Departamentit të Sportit, derisa Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) e përfaqësuan kryetari Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Në temën “Sporti dhe Covid-19”, është folur për ndihmën që kanë nevojë federatat dhe klubet sportive.

“Pakoja emergjente e ndarë nga Qeveria Hoti do të dedikohet për klubet, pasi jemi të vetëdijshëm që bizneset nuk kanë mundur të ndihmojnë klubet gjatë pandemisë. Do të bisedojmë bashkë me kryetarin e KOK-ut, Besim Hasani dhe federatat sportive, për kriteret dhe mënyrën e ndarjes së tyre. Ligji për Pakon Emergjente është dërguar tri herë në Kuvendin e Kosovës, por nuk është miratuar nga Deputetët. Sigurisht se kur të miratohet do të ndihmojmë federatat dhe klubet”, u shpreh ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, gjatë pjesëmarrjes në “Forumin e Sportit”, që hapi Javën Evropiane të Sportit.

Ajo kishte edhe një falënderim në këtë Forum. “Falënderoj Federatën e Basketbollit, që së bashku me Federatën Shqiptare të Basketbollit kanë formuar Ligën Unike. Këso iniciativa duhet të ndërmarrin edhe federatat tjera, sidomos në këtë kohë të pandemisë, kur ka më pak aktivitete sportive”, shtoi tutje Dumoshi, e cila kërkoi që të ndihmohen më shumë edhe klubet e femrave.

Ndërkohë, ministri Zemaj theksoi se pritet që të ketë lehtësim të masave, sa i përket zhvillimit të ngjarjeve sportive. “Do të kemi lehtësim të masave në disa aktivitete sportive, të cilat janë të domosdoshme në numër dhe masë. Ne do të kemi mbikëqyrje strike, bazuar edhe në zotimin që kemi marrë nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat sportive. Nuk do të doja që asnjë federatë të mbyllet për shkak të mosrespektimit të masave. Disa ngjarje ndërkombëtare janë zhvilluar si ndeshja Kosovë-Greqi në futboll te meshkujt apo Kosovë-Estoni te femrat, por të gjitha janë bërë me rekomandime, por edhe një mbikqyrje të madhe”, tha ndër të tjera ministri i Shëndetësisë.

Besim Hasani, kryetar i KOK-ut, foli për qëllimin e mbajtjes së këtij Forumi. “Qëllimi i Javës Evropiane është që sa më shumë njerëz të merren me sport, andaj marrë parasysh numrin e vogël që merren me sport, duhet të fokusohemi që sa më shumë fëmijë të merren me sport. Prindërit, vëllezërit, motrat dhe gjyshërit duhet të marrin fëmijët për t’i regjistruar në ndonjërën prej klubeve të komunave të tyre në Kosovë, ashtu siç i marrin për t’i dërguar në shkollë”, nënvizoi Hasani. /Lajmi.net/