Banorët e Pollogut kërkojnë kontrolle policore shtesë

Nëpër rrugët e Tetovës dhe Gostivarit, vitin e kaluar ka pasur 617 aksidente, të cilat kanë qenë fatale për 8 persona, ndërsa 34 të tjerë, kanë përfunduar me lëndime të rënda. Sipas banorëve rasti i fundit, ku humbi jetën një fëmijë gjashtë vjeçar është tregues se rrugët nuk janë të sigurta dhe përbejnë rrezik për këmbësorët. Ata kërkojnë autoritetet shtimin e kontrolleve policore.

– Advertisment –

“Hiç s`janë të sigurta, shpejt vozitet pa kontroll pa leje çka s`ka këtu. Në autostrad ka qen lopë kuaj çka nuk dalin”.

“Aspak siguri s`ka, sidomos në kohë dimri, ka ngrica dhe ka kaos të madh komunikacioni”.

“Patrulla policie do duhet më shumë. Edhe komuna duhet të bëj kujdes më shumë por jo, askush nuk shikon asgjë”.

Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thonë se më shumë aksidente ndodhin nëpër vendbanime, ndërsa kryesisht shpejtësia mbi të lejuarën është shkaktari kryesor.

“Shkak kryesor i aksidenteve është shpejtësia e papërshtatshme me kushtet e rrugës, kryerja e veprimeve të parregullta në rrugë. Mund të përmendim kohëve të fundit edhe një fenomen që është dalja e kafshëve në korsi të autostradës Tetovë Shkup Gostivar, apo dalja e qenve në rrugë”-tha Fatmir Rexhepi. zëdhënës i SPB Tetovë.

Për dallim nga SPB, ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se përveç shpejtësisë së vozitjes, shkak për aksidentet e shumta, janë edhe mungesat e kontrolleve policore, por nuk përjashtohet edhe shtimi i numrit të makinave në rrugë kundrejt infrastrukturës që nuk ka ndryshuar me vite.

“Regjimin e përcaktojnë shenjat vertikale dhe horizontale . tani sipas raportit që tregojnë organet kompetente shihet se nëpër vendbanime ka më tepër aksidente dhe kjo është si pasojë e mospërfilljes së rregullave standardeve të komunikacionit, por, ka edhe rritje të shkallës së motorizimit kurse shkalla e infrastrukturës ka ngel shumë e ulët në atë drejtim”-tha Sulejman Rahimi. ekspert i komunikacionit.

Bashkim Sulejmani